Ljuis Hamilton: Nëse mendoni se vjet ishte maksimumi im, shikoni këtë vit!

Shprehja thotë se “duhet të ruhesh nga bisha e plagosur”. Ljuis Hamilton ka qenë gjithnjë një “bishë” në Formula 1, që e ka matur veten me rekordet e Mikael Shumaherit, Airton Senës, Alen Prostit apo Huan Manuel Fangios, veçse sezoni i kaluar solli një sfidë të re. Anglezi humbi titullin në garën me Maks Verstapenin e Red Bullit dhe shumëkush ka menduar dhe mendon se mosha 36 apo 37-vjeçare ka nisur të ndihet mbi supet e tij. Shtatë herë kampioni i botës i siguron të gjithë, tashmë, se ai nuk ka marrë fund dhe se duhet të përgatiten për një vit 2022 me emocione. “Natyrisht (vjet) ishte kohë e vështirë për mua, – tha ai, – pas garës së fundit u tërhoqa në privatësinë time, u tërhoqa nga mediat sociale. M’u desh kohë të kapërdija atë që ndodhi, ende e kam të vështirë ta kuptoj plotësisht, por ajo që nuk të vret, të bën më të fortë. Unë jam stërvitur shumë, kam jetuar shëndetshëm. Unë sërish jam i gatshëm të bëj sakrifica për titullin. Nëse mendoni se ajo që patë vjet është maksimumi im, duhet të shikoni këtë vit”.

Sfidanti.al