Nuk i ndodh shpesht, por situata të tilla mund të qëllojnë. Trajneri i Dallasit, Xhejzën Kid, deklaroi se skuadra e tij mori një leksion dhe luajti pikërisht sikur po jepte një provim, kur Luka Donçiç doli nga loja me 5 gabime personale që në periudhën e tretë. Superylli slloven pati 3 gabime personale që në fund të periudhës së parë, por Kid nuk e nxorri nga loja duke dashur të rrezikonte. “Duhet të mësohemi kështu, – tha ai, – që Luka të përjashtohet me 5 faulla. Kjo mund të ndodhë në plej of, në ndeshjen e 7-të, pra ne duhet ta provojmë tani që të jemi gati”. Dallasi e kaloi provimin sepse fitoi 104-93 ndaj Atlantës së Trej Jangut, duke mos qenë kurrë në humbje, ndërsa bashkë me Donçiçin u përjashtua edhe shënuesi më i mirë i ekipit në këtë ndeshje, Xhejlën Branson. Slloveni pati tripëll dabëll në 27 minuta, me 18 pikë, 10 topa në tabela e 11 asistë, Branson e Bullok shënuan nga 22. Dallasi është në vend të 5-të në Perëndim me 31 fitore e 23 humbje, duke pretenduar të paktën për vendin e katërt, ndërsa Donçiç ka 9 tripëll dabëlla këtë sezon, dhe 45 në karrierë, lojtari më i ri që e ka arritur këtë shifër.
Sfidanti.al