Heroi është Zhiruja, Milani përmbys Interin dhe hap Serinë A

Ishte apo nuk ishte e merituar, ky do të mbetet një diskutim akademik. Fakt është që Milani fitoi derbin e Lombardisë, duke thyer Interin në atë që cilësohej fusha zikaltër, me shumicën e 37 000 tifozëve pikërisht në mbështetje të kampionëve. Heroi Olivie Zhiru përmbysi një ndeshje që u duk e humbur, sidomos pas një pjese të parë të dobët, ndërsa golat erdhën në 20 minutat e fundit. Suksesi i djemve të trajnerit Pioli do të thotë se kampionati është rihapur, dhe se epërsia në potencial e rivalit nuk e bën automatikisht të pashpresë luftën për titull. Po ashtu, mungesat e rëndësishme nuk prishën punë, sepse në fushë nuk ishin Ibrahimoviç, Tomori, Kjer, Rebiç. Në mungesë të Ibrës 40-vjeçar, vendosi 35-vjeçari Zhiru.

Edhe pse Milani e mbajti më shumë topin, kjo ndodhi sepse ishte në humbje në pjesën më të madhe të kohës, ndërsa interistët goditën më shumë portën. Trajneri zikaltër, Inzagi, mund të pendohet disi për zëvendësimet kur hoqi Perishiçin, Lautaro Martinezin e Hakan Çalhanoglunë në minutën e 70-të, 8 minuta përpara sesa Zhiru të barazonte. Ndoshta Lautaro nuk kishte më karburant, por dalja e 3 lojtarëve i prishi disi ekuilibrat e ekipit. Interi vazhdon kryesimin në Serinë A 53 pikë ndaj 52 të Milanit, ndërsa ka edhe një ndeshje më shumë për të luajtur, ndërsa shpresë për t’u afruar kanë edhe Napoli, Atalanta e Juventusi.

Sfidanti.al