Lajmi më i mirë për Golden Stejtin: Tompsoni po gjen ritmin e duhur!

“Vëllezërit Splesh” ishin vendimtarë në suksesin e ish-kampionëve ndaj Detroitit dhe ishte një fitore e bukur. Golden Stejti fitoi në San Francisko me shifrat 102-86 falë 21 pikëve të Klej Tompsonit dhe 18 të tjerave të Stef Kërrit. “Pata një mbrëmje të madhe, – tha Tompsoni, që është edhe kapiten i ekipit, – do të kisha dashur të kisha bërë edhe nja dy gjuajtje të tjera, por ishte diçka e bukur. U kënaqëm”. Faqja zyrtare e NBA-së shkruan se Tompsoni po gjen ritmin e duhur dhe ky është padyshim lajmi kryesor për Golden Stejtin që fitoi dy tituj me dyshen “Splesh”. Kërri po ashtu ishte mirë pasi mungoi një ndeshje, duke realizuar 6 nga 11 gjuajtjet për tri pikë, ndërsa fitorja vlen edhe më shumë sepse u arrit pa praninë e Drejmond Grinit. Golden Stejti është në vend të dytë në Perëndim me 32 fitore e 12 humbje, pas Feniksit që ka 34 fitore e vetëm 9 humbje.

Sfidanti.al