Absurdi në Australi, i shëruari nga Kovid, Gjokoviç, një rrezik për komunitetin?!

Një shok i imi shqiptar në Gjermani ishte tepër i mërzitur një ditë sepse kishte kërkuar leje nga puna për t’u kthyer në Shqipëri për përvjetorin e vdekjes së nënës dhe e kishin parë me habi e nënvlerësim. Shoku, gjithë nerva, thoshte se hipokrizia ishte në kulm sepse kishte kolegë të tij mësues në Gjermani që merrnin raporte mjekësore se ishin sëmurë, ndërsa zbrisnin për të pirë kafe e për të blerë gjëra nëpër shitore, ndërsa kur ai i tha të vërtetën, u prekën!

Një rast i tillë ngjan ky i Novak Gjokoviçit në Australi, për të cilin po bëhet nami se qenka rrezik i madh për shëndetin publik! Le të flasin faktet. Tenisti serb ka dokumenta që tregojnë se ka kaluar koronavirusin tani së fundmi, dhe një njeri i shëruar nga Kovidi ka imunitet shumë më të madh sesa çdo njeri i vaksinuar! Këtë gjë duket se në Australi e harrojnë sepse, mesa duket, u pëlqen më shumë të shesin vaksina. Nga ana tjetër, hipokrizia padyshim që është sheshit, sepse nuk diskutohet që shumë njerëz që kanë poste mund t’i shkelin rregullat fshehurazi e të mos sulmohen. Nuk ka rast më tipik sesa ai i kryeministrit britanik, Boris Xhonson, që doli se ka shkelur rëndë rregullat që u imponon qytetarëve, por as nuk jep dorëheqjen, as nuk i ka hyrë gjemb në këmbë.

Sfidanti.al