Fllojd Mejuedhër Xhunior dhe Konor Mekgregor, më në fund, duket se do të përballen në ring. Kampioni i pamposhtur i boksit, tashmë i tërhequr, dhe kampioni i pathyer i arteve të përziera marciale pritet të dalin sy në sy, edhe pse nuk dihet se në çfarë “ambient” do të ndodhë lufta, në një ring boksi, apo në një kafaz të MMA-së. Gjithsesi është diçka tjetër që ngre pikëpyetje më të madhe, një palë e tretë e cila është përzier dhe që mund të mos lejojë që të zhvillohet një duel që pritet me shumë interes nga miliona dashamirës të sporteve të rënda në të gjithë botën.
Presidenti i UFC-së, kategorisë kryesore të MMA-së sot në rruzull, Dejn Uajt, ka bërë me dije se nuk mund të lejojë që organizata e tij të shmanget nga i gjithë ky organizim. “Ai (Mekgregori) ka kontratë me mua, – u shpreh Uajt, – si mund të lejoj unë që dikush ta marrë këtë djalë, të cilin e formova unë, dhe të organizojë një ndeshje pa mua? Ky do të ishte veprimi më pa tru në histori”. Gjithsesi, besohet se një marrëveshje mund të arrihet për 2 javë, ndërsa pritet të mësohen hollësi të tjera për duelin, si dhe sasia e parave të përfshira në të. Mejuedhër gjithnjë ka theksuar se ai nuk ndeshet pa iu premtuar 100 milionë dollarë. Sfidanti.al