Tirana-Kukësi ishte anti-kartolina e sezonit në Superligë, por ata që kanë parë shumë me sytë e tyre, nuk mund të gabohen. Njëri prej tyre është Ledio Pano, ish-futbollisti elegant i Partizanit dhe i kombëtares, i cili pikërisht brenda një teme të tillë ka kritika edhe për ekipin e tij të zemrës. Mesfushori i dikurshëm me gjuajtjen e frikshme dhe pasimin “balistik”, pasi i vë “damkën” sfidës së të shtunës në “Selman Stërmasi”, shton se Tirana dhe Kukësi nuk kanë qenë të vetme në këtë “bëmë”.
“E kanë bërë edhe të tjerë më parë, – thotë ai, – e ka bërë Skënderbeu me Laçin, Partizani me Laçin, dhe realisht vjet unë kam qenë kundër që Partizani të sillej ashtu”. Djali i legjendarit Panajor Pano e ka fjalën për aleancat e papastra të linjës Superligë-Kupë, në bazë të së cilave korçarët apo të kuqtë i hapën rrugën Laçit në Kupën e Shqipërisë, për të marrë prej tyre pikë të plota në kampionat.
Pano beson se është faji i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe i autoriteteve të shtetit që gjendja ka arritur deri këtu, pasi nuk janë marrë masa dhe nuk është dënuar askush. “Në Itali zbritën në kategorinë e dytë Juventusin e madh pak a shumë për gjëra të tilla, – tha Pano, – ndërsa tek ne nuk ndodh asgjë. Kulmi ka qenë ajo që bëri Dinamo pasi u shpall kampione në 2010”.
Sfidanti.al