Duket se Totenhemi “u vodh” dy herë në barazimin me Sauthemptonin!

Rezultati ishte 1-1 dhe londinezët ishin hedhur në sulm për fitoren. Totenhemi arriti dy herë që të shënonte, por që të dyja herët goli iu anulua, ndërsa ka diskutime në Angli nëse vendimet ishin apo jo të sakta. Goli i parë i anuluar ishte ai i Harri Kejnit, për një pozicion jashtë loje “të ngushtë” dhe “të dyshimtë”, siç theksuan mediat, ndërsa trajneri Antonio Konte u shpreh se “unë mendoj se Kejni shënoi dy herë” (pasi shënoi edhe golin e barazimit). Momenti tjetër ishte kur në 67’, portierit Frejzër Foster i shpëtoi topi nga duart dhe përfundoi në rrjetën e portës së tij. Gjyqtari dha faull për një ndërhyrje të lojtarit të Totenhemit, Mat Doherti, por pamjet filmike dhe fotot tregojnë se Doherti pati shumë pak kontakt me portierin. Gjyqtari ndërkombëtar, Klatenburg, gjykoi se nuk kishte ndonjë gjë të gabuar, por sipas rregullave të sotme, VAR-i nuk mund të ndërhyje nëse arbitri e ka dhënë vendimin e tij.

Sfidanti.al