Mos e humbisni rastin, shijoni “kartolinën” e babagjyshit më të vjetëruar të futbollit tonë , presidentit Duka, në intervistën e fundvitit, ku prapë nuk humbet rastin fatlum, që lodrat me bereqet t’i mbajë për vete dhe gjynahet e paudhësitë t’ua ndajë të tjerëve. Ç‘paska qënë një makut kampion ! Tamam ai që aktroi herë zotin dhe herë djallin në këto dy dekada , më në fund, i lutet klubeve sikur të ishte i pafajshmi i vetëm, i cili nuk është llumosur nga mëkatet..!
Madje flet si i huaj, sikur të ketë lindur mes 4 rrugëve të.. UEFA-s, sikur nuk e gjen dot brënda vetes së tij… udhëheqësin e keq, atë që na priu drejt dënimit maraton në Europë. Pale pale, edhe pas 20 vitesh, shfaqet i palodhur në prapaskena, saqë përgatit intrigën e fundit, atë të lojës me fronin, dorëzimin e trashëgimisë një pjelle të sojit të tij..
Fjalët e zotit Duka , edhe në ditët e fundit të vitit, s’kanë shpirt për të vërtetën. Ato lënë pa punë dhe nastradinët më të thekur të futbollit :
“ Trukimet? Nuk do të ketë shanse që të bëjnë fiksime rezultatesh në Shqipëri. Edhe ai që mund të ketë menduar t’i bëjë, qoftë futbollist, apo arbitër, trajner apo drejtues, iku koha e asaj pune, kthehuni rrugës së Zotit, luani futboll. Nëse ekziston shumë pak në Shqipëri, ju garantoj që nuk do të kenë shans të bëjnë fiksim rezultati në Shqipëri”.
E mrekullueshme për nga pacipësia kjo frazë muzeale për popullin e futbollit : “Kthejuni rrugës së zotit, luani futboll!” Paskan qënë dy zota për ne, një në tokë dhe një në qiell. Ose ky qënka versioni më spektakolar i filmit “Pirati bëhet papë”. A mundet një “djall” të rekomandojë rrugën e zotit ? Apo sa ishte vetë i mësoi delet e gjora të futbollit ta shikonin si zot , t’i luteshin më shumë piratit se sa papës, dhe më e ligështa , kujtonin se po luanin ..futboll !
Sfidanti.al