Kampioni i madh i basketbollit sërish dha një provë të shkëlqyer në NBA, pavarësisht moshës gati 37-vjeçare, veçse sërish nuk mjaftoi. Me 31 pikë, 14 topa në tabela e 6 asistë, Lebron Xhejms ishte i mrekullueshëm në sfidën e Lejkërsave në Arenën e Çikagos, të cilën kalifornianët e humbën 110-115. Duket se ëndrra për titullin e tij të 5-të kampion nuk do të mund të realizohet, ose të paktën do të jetë shumë e vështirë, ndërsa në NBA ka skuadra shumë të forta si Feniksi, Golden Stejti, Bruklini, Juta Xhazi apo Miluoki kampion në fuqi.
Pikërisht Feniksi ishte një mrekulli për t’u parë me fitoren 137-106 ndaj Sharlotës. Kthimi i Devin Bukerit ishte një katalizator, ndonëse ylli i ri nuk bëri ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Ai shënoi 16 pikë në 32 minuta, ndërsa shkëlqyen Kris Pol me 14 pikë e 9 asistë, Deandre Ajton me 15 pikë e 15 topa në tabela, por edhe Brixh (16 pikë), Krauder (14), Mekgi (19), Shamet (15) dhe Xhonson (12). Feniksi është tashmë skuadra më e mirë e NBA-së këtë sezon me 24 fitore e 5 humbje, ndaj 24 fitoreve e 6 humbjeve të Golden Stejtit, ndërsa Lejkërsat kanë 16 fitore e 15 humbje në vendin e 7-të në Perëndim.
Sfidanti.al