Murinjo takohet sërish me Interin, pas tij filloi rënia në 2010!

Ka të drejtë “La Gazeta delo Sport” që i kujton vitet e fundit, ose më saktë 11 vjet radhazi. Zhoze Murinjo ishte “I Veçanti” tek Çelsi në 2004, pasi fitoi me Porton trofe të mëdhenj si Championsin e Kupën UEFA (përveçse ligën portugeze), dhe vazhdoi të ishte i tillë me Blutë e Londrës (dy tituj kampion me 95 e 91 pikë), e po ashtu tek Interi me 3 trofe në një sezon, në 2010, me Championsin, Serinë A dhe Kupën e Italisë. Që nga ai vit, kur kaloi tek Reali, vërtet për Murinjon nisi një rënie relative duke pasur parasysh standardet e tij. Në 2012 fitoi titullin me Realin, në 2015 ia doli në Premier Ligë me Çelsin dhe në 2017 fitoi Ligën e Europës me Mançester Junajtidin, por kaq nuk mund të ruajnë traditën. Tashmë, si trajner i Romës do të takojë sërish Interin, por tashmë si kundërshtar, në ndeshjen që luhet sot në orën 18:00 në stadiumin “Olimpiko”. “Tek Interi mos krahasoni njeri me mua dhe me Herrerën”, – tha Zhozeja kur u prezantua tek Roma. Ky njeri nuk heq dorë nga stili i tij i mburrjes, pak a shumë si Ibra e më shumë se Ronaldo, ndërsa nuk doli në konferencë për shtyp para ndeshjes, dhe emocionet padyshim që do të jenë të forta ndërsa do të shohë ngjyrat zikaltër tashmë me trajner Simone Inzagin.

Sfidanti.al