Ja pra që nuk është mirë të nxirren përfundime përpara kohe. Shkollën italiane të futbollit në klube ishin gati ta varrosnin pas disfatës së rëndë të Juventusit në fushën e Çelsit në Champions, por ja që fjala e fundit nuk ishte thënë ende. Mjaftuan fitoret e dy skuadrave të Lombardisë për të ndryshuar humorin dhe opinionet, dhe ja papritur Italia mund të krenohet me Milanin e Interin. Dy fitore të merituara, një kualifikim e shpresë për kualifikim tjetër. Milani është ende me shpatulla pas murit sepse nuk e ka fatin në duart e veta, por gjithsesi suksesi në Madrid ndaj Atletikos është ndër më të shkëlqyerit e mundshëm. Goli erdhi në fund nga Mesias, por gjithçka ishte e merituar.
“Gjëja kryesore është që e jetuam këtë ndeshje me përqëndrim maksimal mendor, – tha trajneri Pioli, – lojtarët dhanë maksimumin dhe është e ligjshme që të gëzohemi sepse kemi arritur një fitore shumë të rëndësishme në një fushë ku ekipet italiane nuk kanë fituar thuajse kurrë. Gjithsesi, le të mos kalojmë në eufori sepse nuk kemi arritur ende asgjë”.
“La Gazeta delo Sport”: Super pasaportë e Xhekos, mrekulli e Mesiasit! Champions për ëndërr! Interi në të tetat pas 10 vjetësh, thyhet një tabu! Milani mbetet me shpresë! “Çlirim i Interit, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – mundet Shahtari i De Xerbit me dygolëshin e Xhekos! Në të tetat e finaleve pas 10 viteve!
Interi u kualifikua në të tetat e finaleve për herë të parë pas 10 viteve. Fitorja 2-0 në “San Siro” ndaj Shahtarit u arrit falë dy golave të Edin Xhekos dhe lojës së shkëlqyer të kroatit Perishiç. Xheko u shpall lojtari i ndeshjesh, dhe Interi ka pasur gjithnjë lojtarin më të mirë në të gjitha ndeshjet në grup, edhe ndaj Realit. “Ndeshja ishte gjatë gjithë kohës në epërsi ndaj një kundërshtari të fortë, – tha trajneri Inzagi, – Shahtari ka nivel të lartë teknik, por ne ia dolëm dhe arritëm një fitore shumë, shumë të rëndësishme. Jam i kënaqur për ekipin, dhe për lojtarët në veçanti. Xhekon e njohim të gjithë, e njohim nivelin e tij dhe jam i lumtur për të”.
Interi mund të jetë i qetë para sfidës së fundit ndaj Realit, ndërsa Milani duhet të fitojë ndaj Liverpulit e të shpresojë që Porto të mos thyejë Atletikon.
Sfidanti.al