Tre shqiptarë hyjnë nga stoli, por Bajrami mund ta kishte fituar për Empolin

Nuk po u ecën mbarë kuqezinjve në Itali pikërisht në sezonin kur patën një numër rekord. E tregoi ndeshja e mbrëmjes së sotme e Empolit, që u mund 1-2 në fushën e Veronës, dhe në të cilën 3 lojtarët shqiptarë të tij hynë në lojë pas pushimit. Nedim Bajrami u aktivizua në 57’, Kristijan Asllani u hodh në “betejë” në 75’, ndërsa Ardian Ismajli më në fund luajti që nga minuta e 84-ët deri në fund të 7 minutave shtesë. Më i miri ndër ta, Bajrami, që tregoi formën e tij në aq kohë sa iu dha mundësia. Mesfushori i kombëtares shqiptare rrëmbeu topin në 73’ dhe gjuajti me të majtën, por u ndal nga ndërhyrja shumë e mirë e portierit vendas, Montipo. Në 78’, sërish Bajrami merr një top të humbur nga Lazoviç, vrapon dhe gjuan nga jashtë zone, por sërish Montipo shmangu golin në portën e tij. Për paraqitjen e tij, edhe në pak minuta, Bajrami mori notën 6.5, më të mirën nga lojtarët e Empolit.

Sfidanti.al