Nejmari “dorëzohet” për Superklasiken, por Mesi do të jetë titullar!

Është dueli më i madh i kontinentit dhe një nga më të mëdhenjtë në botë. Kur thua Argjentinë-Brazil ke thënë gjithçka, por njëri nga protagonistët e mëdhenj, Nejmari, nuk do të jetë sonte në fushë. Argjentinasit presin rivalin e përjetshëm në San Huan, me Klasiken e Amerikës së Jugut që luhet 30 minuta pas mesnatës sipas orës së Shqipërisë, por dueli Mesi-Nejmar nuk do të jetë. Kapiteni i Selesaos ka pësuar dëmtim dhe Federata Braziliane e Futbollit lajmëroi në komunikatë zyrtare mungesën e tij. Shënuesi i 70 golave e ka të pamundur t’i afrohet rekordit të Pelesë me 77, të paktën këtë herë.

Në të kundërt, rivali dhe shoku i tij tek Paris SG, Lionel Mesi, do të jetë në fushë. Kapiteni argjentinas e ka marrë veten nga dëmtimi që e la jashtë në dy ndeshjet e fundit të PSG-së. “Po, ai u ndje mirë që në ndeshjen e kaluar, – deklaroi trajneri Skaloni, – dhe menduam se më e mira ishte që ai të luante disa minuta, që të mësohej me fushën. Për këtë ndeshje është i konfirmuar që do të luajë. Është një ndeshje e vështirë dhe ne nuk duam të rrezikojmë, por ai ndihet mirë, dhe do të luajmë në një fushë të mirë”. Kjo mund të krijojë polemika në Francë, por Mesi do të synojë të ndihmojë ekipin për të fituar dhe për t’u kualifikuar për në Botëror, ndërsa Brazili e ka arritur tashmë objektivin. Kapiteni argjentinas po ashtu do të përpiqet të shtojë rekordin e tij të Amerikës së Jugut me 80 me kombëtaren. Ky vit ka qenë i shkëlqyer pasi Mesi më në fund e fitoi një trofe të madh me kombëtaren, Kupën e Amerikës madje përballë Brazilit në Brazil.

Sfidanti.al