Pa Brojën, Gjimshtin, Ballin, sërish duam që ta mundim Anglinë?!

Një tjetër goditje dhe tepër e rëndë. Kombëtarja shqiptare humb Armando Brojën për ndeshjen e së premtes në Botëror ndaj Anglisë, ndërsa më herët kishte humbur Gjimshitin, Balliun e Manajn. Sulmuesi që luan në Premier Ligë për Sauthemptonin, është i dëmtuar dhe kjo u pohua nga mbrojtësi Veseli në konferencën për shtyp. Një ditë më parë, trajneri Edi Reja deklaroi se synimi është për të fituar në “Uembli”, por duke mos pasur lojtarin e Premier Ligës, La Ligës, Serisë A, a mundet sërish që t’ia dalim? Ndërkaq, ekipi po plotësohet. Marash Kumbulla dhe Bekim Balaj janë bashkuar vetëm mbrëme me ekipin, dhe do të jenë të gatshëm gjatë përgatitjeve të sotme. Armando Broja udhëton vetëm sot nga Anglia drejt grumbullimit në plazhin e Durrësit, dhe natyrshëm do të mundë të stërvitet siç duhet të mërkurën.

Nga lojtarët e pranishëm, problemi i vetëm është portieri Tomas Strakosha që ka dhimbje në gju dhe mbetet në dyshim për Anglinë. Reja ndërkaq është përpjekur të kuptojë gjendjen fizike të lojtarëve, pasi vetëm në bazë të saj do të krijohet formacioni. Skema në “Uembli” pritet të jetë ajo e zakonshmja, 3-5-2, por me theksin drejt mbrojtjes, e praktikisht bëhet 5-3-2. Përsa i përket prapavijës, në mungesë të Gjimshitit, dhe krahëve nuk priten ndryshime me Hysajn, Kumbullën, Ismajlin, Veselin e Trashin. Në mesfushë, të sigurt duken Bare e Gjasula, ndërsa për një vend do të luftojnë Laçi, Çekiçi e Bajrami, ku lojtari i Empolit ka më pak shanse sepse nuk po luan rregullisht në Serinë A. Në sulm, të tre lojtarët janë në formë, si Cikalleshi, Uzuni e Broja, por Reja duhet të zgjedhë vetëm dy.

Sfidanti.al