Shteti shqiptar vazhdon me kampionët e sportit “filmin” me titull “japim fjalën”!

Nuk na kanë mjaftuar kaq shumë yje që na janë larguar (për fat ata të futbollit kanë aq para sa që të mos largohen). Mirela Manjani, Pirro Dhima apo Elis Guri janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj të sportit shqiptar që u shpallën kampionë bote apo olimpike nën një flamur tjetër, por pas 30 vitesh liri lëvizjeje, shteti shqiptar nuk ka arritur ta ndryshojë “pllakën”. Në takimin që KOKSH-i pati me tre boksierët e ekipit kombëtar, Alban Beqiri, Denis Nurja dhe Ariol Zeneli, presidenti Fidel Ylli deklaroi se “po punojmë që të krijojmë një klub biznesi olimpik, që kompanitë kryesore të kontribuojnë për sportin”. Ai mori për shembull Kosovën ku janë 30 kompani që sponsorizojnë sportin, por z. Ylli nuk përmendi ligjin e sponsorizimit që Kosova e ka fare të thjeshtë, ndërsa Shqipëria gjithnjë dëshirontë bëjë “shpikje”. Shqipëria sot, mirë apo keq, nuk është në kohën e dikurshme kur mund t’i detyronte kompanitë, ndërsa sot shteti mund t’i miklojë vetëm me ligje që ato të kenë përfitim. Kjo nuk është bërë pra edhe premtimet për ndihmë të shtetit, duken si vazhdimi i filmit “japim fjalën”, siç ka qenë titulli i një skeçi të estradës së Fierit në vitet 80-të.

Sfidanti.al