Liverpuli pati faje plot, por arbitri e deshi të mundur ndaj Uest Hemit!

Padyshim që trajneri Jurgen Klop do t’i ketë bërë një “dush” të mirë disa prej lojtarëve të tij si portierit Alison, mesfushorit Okslejd-Çembërlen e sulmuesit Sadio Mane, por gjithsesi Liverpuli nuk ishte i vetmi fajtor për humbjen e parë të sezonit që pësoi në fushën e Uest Hemit. Një gol i parë i “çekiçëve” do të ishte anuluar në çdo kampionat tjetër të botës, pasi portieri Alison u pengua dukshëm nga futbollisti i Uest Hemit që pati edhe krahun të ngritur. Më pas, një ndërhyrje e egër u bë nga Aron Kresuell ndaj kapitenit të të kuqve, Xhordan Henderson, por gjyqtari Pouson nuk dha karton të kuq, ndonëse ishte krejtësisht i merituar.

Liverpuli bëri më shumë, mbajti topin 67 për qind, pati 10 gjuajtje ndaj 4 të londinezëve dhe 5 në kuadrat ndaj 3. Alison shkaktoi autogol, pastaj Aleksandër-Arnold barazoi që nga goditja e dënimit, Fornals shënoi golin e dytë për vendasit dhe Zuma të tretin, ndërsa Divok Origi ngushtoi shifrat 2-3 pak minuta para fundit. Uest Hemi realizoi 3 gola me vetëm 3 gjuajtjet në kuadrat, ndonëse duhet thënë se skuadra e trajnerit Dejvid Mojes është kthyer në një rival të guximshëm, që arriti kualifikimin edhe në Europë pak ditë më parë. Jo më kot, Uest Hemi ka 23 pikë, po aq sa Mançester Siti i vendit të dytë ndaj 22 të Liverpulit. Çelsi kryeson me 23 pikë.

Sfidanti.al