Ajo që ndodhi këtë të shtunë ishte më shumë se një revansh. Tirana jo vetëm i tregoi Dinamos se nuk mund ta ketë rivale nëse e merr seriozisht, por edhe bëri një deklaratë të qartë për të gjithë kundërshtarët në Abisnet Superligë. Në 8 javë kampionat, kryeqytetasit kanë thyer pa dallim të gjitha skuadrat e forta që i kanë dalë përballë. Në 3 tetor, Tirana mundi Laçin 2-0, ndërsa më pas triumfoi në “Elbasan Arena” 3-2 ndaj kampiones në fuqi, Teutës, në 17 tetor. Në 25 tetor, ekipi i drejtuar nga trajneri Orges Shehi, fitoi minimalisht, por me meritë, derbin ndaj Partizanit në “Arenën Air Albania” me golin e Vesel Limajt me penallti, ndërsa pesë ditë më pas, në 30 tetor, triumfoi 2-0 në Shkodër ndaj Vllaznisë.
Janë katër ndeshje radhazi në vetëm një muaj pikërisht ndaj atyre që cilësohen si rivalë për titull, ndërsa bardheblutë pritet të testohen në 20 nëntor në fushën e Kukësit, kundërshtarit të vetëm të fortë që nuk e kanë pasur përballë. Humbja e vetme e rëndësishme mbetet ajo 0-2 me Dinamon në Kupën e Shqipërisë, ndonëse kualifikimi ende është i mundshëm. Me gjasë, Tirana po shfrytëzon harmoninë në skuadër, pavarësisht problemeve financiare si të gjitha ekipet e tjera në Shqipëri. Po ashtu, shumica e lojtarëve janë të thjeshtë dhe të përkushtuar ndaj lojës kolektive, ndërsa trajneri Shehi ka një ndikim të rëndësishëm sepse i ka lexuar mirë ndeshjet dhe nuk ka krijuar nervozizëm.
Sfidanti.al