Prag Superliga, do të reagojë Tirana, apo Dinamo do triumfojë si në 1990?!

Duket sikur po përsëritet viti 1990. Atëherë, Tirana e Dinamo luajtën tri herë në fare pak ditë, në kampionat e në kupë, dhe thuajse kështu po ndodh edhe në 2021. Sot në 19:45 luhet derbi i dytë radhazi i kryeqytetit mes këtyre dy ekipeve, tashmë në Abisnet Superligë. Të mërkurën u luajt i pari, fituar 2-0 nga Dinamo në Kupën e Shqipërisë, ndërsa dueli i kthimit po për kupën do të jetë pak më vonë, sepse sezoni në Shqipëri ndërpritet për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare. Pritet reagim nga bardheblutë, që kryesojnë bindshëm kampionatin duke pasur diferencë të madhe me rivalët e kryeqytetit, Dinamon dhe Partizanin.

Humbja e kupës u quajt një e papritur dhe një nënvleftësim, por asgjë nuk është e sigurt sot në “Arenën Air Albania”. Të dy ekipet kanë mungesa. Ekipit të trajnerit Orges Shehi nuk i luajnë sulmuesi kryesor Ngo, i pezulluar, dhe po ashtu Toli. Skuadra e Bledi Shkëmbit ka edhe më shumë probleme. Shofranac, portieri Harizaj, Haxhiu e Maliqi nuk përgjigjen dot në apel, duke ia bërë bluve edhe më të vështirë këtë përballje.

Po sot, në 16:45, luhet ndeshja tjetër e javës së 8-të, ajo në Korçë mes Skënderbeut e Kukësit. Tirana kryeson kampionatin me 17 pikë ndaj 14 të Kukësit, ndërsa Dinamo është në vend të pestë me 9 pikë.

Java 8: Sot: Skënderbeu-Kukësi, 16:45, Tirana-Dinamo, 19:45’; Nesër, 13:45: Kastrioti-Partizani, Laçi-Teuta; Të hënën. 13:45: Egnatia-Vllaznia.

Sfidanti.al