Po luan prej 16 vitesh në NBA dhe është një nga personalitetet e kampionatit. Kris Pol nuk ka emrin e një Kevin Duranti, Adetokumboje apo kompletësinë e një Lebron Xhejmsi, por shkëlqen në specialitetin e tij, që janë asistet. Në ndeshjen e fundit, atë të Feniksit ndaj Nju Orlinsit (fituar 112-100), Pol shërbeu 18 pasime për kosh, duke u ngjitur në vendin e tretë në renditjen e të gjitha kohëve. Ai ka 10 346 asistë, duke kaluar në një ndeshje Mark Xheksonin dhe legjendën Stiv Nesh. Po ashtu, ai ka një mesatare shumë të lartë prej 9.4 asistësh për ndeshje, duke mbetur vetëm prapa të tillëve si Mexhik Xhonson (11.2 asistë për ndeshje) dhe rekordmenit Xhon Stokton (10.5). Stokton ka 15 806 asistë në karrierë, në vendin e parë të basketbollit amerikan, ndërsa në vend të dytë është Xhejzën Kid me 12 091 asistë. Nuk dihet nëse Pol do të arrijë të luajë aq gjatë sa të kërcënojë të paktën vendin e dytë. Për këtë do t’i duhen rreth 180 ndeshje në sezonin e rregullt, që do të thotë edhe 3 vjet karrierë, ndërsa ai sot është 36 vjeç.
Sfidanti.al