Dueli i madh gjerman në Premier Ligë, Tuhel e Klop sfidohen për titullin!

Jo më kot është kampionati më i fortë në botë. Emocionet dhe të papriturat nuk reshtin në Premier Ligën angleze, ku duket se Çelsi është një hap përpara të tjerëve. Blutë e Londrës triumfuan 3-0 në fushën e Njukasëllit duke u shkëputur në 25 pikë ndaj 22 të Liverpulit, dhe jo më kot janë edhe kampionë të Europës në fuqi. “Ne ishim dominues, por duhej të kishim durim, – tha trajneri Tuhel, – ishte e vështirë, por ne ia dolëm. Nuk është hera e parë që një gol mund të ndryshojë fatin e një ndeshjeje. Ne kemi mentalitetin e duhur. Jam i lumtur për paraqitjen e ekipit”.

E papritura më e madhe e javës ishte ndoshta barazimi 2-2 i Liverpulit në “Anfild” ndaj Brajtonit, sidomos pas fitores së madhe 5-0 në fushën e Mançester Junajtidit. Të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop kryesuan deri në 2-0, por fitorja u iku nga duart, dhe pati kritika se nuk ishte paraqitja e duhur. “Për fat të keq ju keni të drejtë, – pranoi Klopi, – pjesa e parë ishte shumë e mirë, edhe pse Brajtoni na rrezikoi. Pas pushimit ne harruam të luanim, duhej të kishim zotëruar topin, por nuk e bëmë. Rezultati 2-2 ngjan si një humbje, duhet të jemi më mirë”.

Sfidanti.al