Manaj është “hajmalia” e Specias, hyn në fushë dhe ndihmon për fitoren

Le ta lemë prapa humbjen me Poloninë, sepse kombëtarja shqiptare ka lojtarë që mund ta ndihmojnë në të ardhmen. Njëri prej tyre është Rej Manaj, i kritikuar shumë nga tifozët kuqezinj për egoizmin që tregoi në ndeshjen eleminatore të Botërorit, por që e ka ngritur më në fund karrierën në këmbë dhe ka nisur të bëhet protagonist në Serinë A. Ish-talenti i Interit dhe lojtari i Barcelonës, hyri në fushë në pjesën e dytë dje për Specian në fitoren 2-1 ndaj Salernitanës. Manaj u aktivizua në 68’, kur shifrat ishin 1-1 dhe menjëherë krijoi rrezik duke goditur portën mike. Më pas, ai kombinoi me kapitenin Maxhore i cili u ndal nga portieri mik, Belec. Më pas, sulmuesi 24-vjeçar bëri presion në çdo moment ndaj topit duke ndihmuar ekipin që shënoi golin e fitores në 76’, 8 minuta pas hyrjes së tij në fushë, edhe pse nuk ishte pjesëmarrës në aksionin e golit, shënuar nga Kovalenko. Një fitore e rëndësishme për Specian, e dyta këtë sezon në Serinë A, që u ngjit në kuotën e 7 pikëve duke pasur shpresë për mbijetesë.

Sfidanti.al