Luis Van Gali është një trajner me shumë përvojë, edhe pse shpesh herë është larguar me pakënaqësi nga skuadrat që ka drejtuar, siç ndodhi tek Mançester Junajtidi, apo edhe tek vetë Barcelona. Gjithsesi, emri i njohur i stolit po bën detyrën shkëlqyeshëm në drejtimin e Holandës e cila pati mundësi të kualifikohej për fazën finale të Kupës së Botës në Katar. Për fat të keq, “tulipanët” nuk i shoqëruan dot fqinjët e tyre jugorë, gjermanët, dhe jo për fajin e tyre, por sepse nuk iu dha “leja” nga rivalët e grupit. Holanda fitoi 6-0 ndaj Gjibraltarit (e çfarë pritej tjetër?) me gola të shënuar nga Virgil Van Dajk, Memfis Depai (2 herë), Damfris, Grëneveld dhe Malen. Gjithsesi, fitorja e Norvegjisë 2-0 ndaj Malit të Zi bëri që nordikët të kenë 17 pikë ndaj 19 të holandezëve, pra të jenë në ndjekje të vendit të parë. Kjo edhe pse Erling Haland nuk ishte në fushë dhe të dy golat i shënoi Eljunusi. Turqia gjithashtu fitoi (2-1 në Letoni) dhe ka 15 pikë pra teorikisht ka shanse për vendin e parë.
Sfidanti.al