“Kjo është rruga drejt Katarit”, thonë kroatët e kapitenit Modriç!

Golat nuk u shënuan nga ylli i Realit të Madridit, por kjo nuk ndryshoi asgjë. Kroacia mbetet gjithnjë një fuqi e futbollit europian, dhe nënkampionët e botës nuk duan që të mungojnë në takimin e radhës në Katar. Fitorja 3-0 në fushën e Qipros ishte e pritshme, por duhej arritur me djersitje në fushë, diçka që edhe u bë. Shënues në Nikozia ishin zikaltëri Ivan Perishiç, Joshko Gvardiol dhe Marko Livaja, ndërsa Federata Kroate e Futbollit festoi në Fejsbuk me thirrjen “andej është rruga për në Katar”. Një fitore edhe për t’i uruar ditëlindjen e 53-vjetorit legjendës Zvonimir Boban. Kroacia kryeson grupin eleminator H me 16 pikë, me 5 fitore, 1 barazim e 1 humbje, dhe me golaverazhin shumë të mirë 11-1, ndonëse rruga drejt Katarit do të jetë gjithsesi e vështirë sepse Rusia ka po 16 pikë me golaverazhin 11-4.

Sfidanti.al