Secili prej tyre ka qenë i lidhur në karrierë me nga një emër të madh në Itali. Franko Barezi, Antonio Kabrini, Xhuzepe Bergomi dhe Salvatore Banji kanë luajtur për ekipe të forta që kanë fituar tituj. Barezi, kapiteni i madh i Milanit dhe i Italisë mendon se “titulli është i mundur për ne, veçse Napoli është ai që më ka bërë më shumë përshtypje”. “Kujdes edhe nga Juventusi”, – vazhdon ish-qendërmbrojtësi. Ish-mbrojtësi tjetër, Antonio Kabrini, triumfues i madh me Juventusin dhe kampion i botës me Italinë në 1982, thotë se bardhezinjtë mund të japin shumë më tepër se kaq. “Për momentin janë vetëm në 30 për qind të mundësive, – thotë Kabrini, – duhet ta ngrenë stekën shumë më lart, ndryshe nuk fitohet titulli”.
Përfaqësues i Napolit është Salvatore Banji, mbrojtës i epokës së Maradonës, që fitoi bashkë me Diegon gjithçka që fitoi ekipi i kaltër në ato vite. “Skuadra dhe trajneri Spaleti janë të fortë, – thotë ai, – ndoshta është viti i duhur. Ekipi ka gjetur ekuilibrin dhe kur fiton rritet besimi. Janë të gjithë elementët për t’u kthyer në festime”. Po interisti Xhuzepe Bergomi, çfarë thotë? “Interi mbetet i fortë dhe unë kam besim, ndonëse kampionati do të jetë i gjatë, – thotë ai, – Inzagi duhet të këmbëngulë me Çalhanoglunë sepse ka talent, dhe është “armë vdekësore” edhe me kohë të pjesshme”.
Sfidanti.al