Fabian Shahaj, talenti i ardhshëm shqiptar në Holandë!

Objektivi mbetet ekipi i parë. Një tjetër talent shqiptar synon t’i bëjë vend vetes në një nga ligat e njohura të Europës, dhe ky është Fabian Shahaj. Sulmuesi 19-vjeçar i lindur në Holandë, e tregoi aftësinë e tij pak ditë më parë kur shënoi dy gola për ekipin Shpresa të ADO Den Hagës në kampionatin holandez U21, ndërsa është tashmë pjesë e ekipit të parë të kryeqytetit administrativ të vendit. Fabiani është i vlerësuar tek ADO-ja, edhe pse është shumë i ri dhe konkurrenca është e madhe, por janë të gjitha shanset për të provuar veten në ligën e parë, që është niveli i dytë i futbollit të Holandës.

Shahaj është shtatlartë 1.93 metra, ndërsa di të shënojë edhe me të majtën, edhe me të djathtën, si dhe me kokë. Kjo u duk me rrjetat e shënuara në fushën e Fejënordit U21, duke përmbysur rezultatin ndërsa ekipi nga Roterdami pati epërsi. Klubi e cilësoi në atë kohë si “krenaria jonë” duke i publikuar foton në faqen zyrtare në Tuiter. Fillimisht shqiptari luajti për ekipin U18 të De Hagës, ndërsa shumë shpejt, 7 muaj më parë u bë pjesë e Shpresave dhe u konsiderua si talent për t’u pasur parasysh në ekipin e parë.

Prej shumë muajsh ai është pjesë edhe e kombëtares së Shqipërisë U19, ndërsa është stërvitur nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu në grumbullimet që ka pasur në Shqipëri. Shahaj është i lumtur që vesh fanelën e Shqipërisë, ndërsa pritet që ai të mund të jetë pjesë e 19-vjeçarëve për ndeshjet që ata do të kenë ndaj Malit të Zi në tetor.

Sfidanti.al