Policia bën “sehir” në sherrin masiv të boksit në Shkodër!

Rregulli numër 1 i çdo sporti të ashpër është që gjithçka të ndodhë në ring, dhe sipas normave. Për një moment, ky parim u shkel në Pallatin e Sportit në Shkodër, ku shpërtheu një sherr masiv ndërsa zhvillohej Kampionati Kombëtar i boksit. Ishin tifozë tiranas e shkdoranë , si dhe pjesëtarë të dy ekipeve, që u përplasën pas një ndeshjeje finale, mes Arjon Kajoshit të Vllaznisë dhe Alban Beqirit të Tiranës, në peshë deri 75 kg. Gjyqtarët ia dhanë fitoren boksierit shkodran, por ky përfundim nuk u pranua nga tiranasit dhe pas akuzave verbale, u kalua në dhunë fizike. Tifozë e boksierë të të dyja palëve hynë në parket dhe u konfliktuan ashpër, ndërsa policia nuk ndërhyri aspak për aq kohë sa vazhdoi sherri, ndonëse ajo ishte e pranishme në sallë. Një qendrim i pashpjegueshëm duke pasur parasysh se në një konflikt të tillë mund të kishte pasur të lënduar fizikisht. Situata nisi të qetësohej dalë nga dalë nga vetë pjesëtarët e ekipeve, të cilët ndaluan sportistët dhe tifozët e tyre. Për këtë shkak, program i ndeshjeve finale u ndërpre për një kohë të gjatë, dhe tensioni vazhdoi edhe më pas.

Sfidanti.al