Partizanin nuk e lenë gafat që të fitojë, “vetëvrasje” e kuqe edhe ndaj Skënderbeut!

Të kesh gjithçka në dorë e të vrasësh dy herë veten, kjo mund t’i ndodhë vetëm këtij ekipi. Partizani bëri një tjetër gabim fatal në Abisnet Superligën duke i dhuruar Skënderbeut golin e barazimit në Korçë, në një ndeshje që përfundoi 1-1. Mosmarrëveshja e portierit Hoxha me Damçevskin i dha mundësi Elvi Berishës të shënonte për korçarët, vetëm një minutë pasi të kuqtë kishin kaluar në epërsi me 11-metërsh. Sfida u vendos në këto dy minuta të pjesës së dytë, dhe nuk bëri punë epërsia e madhe e Partizanit gjatë gjithë kohës. Ndodhi pak a shumë si javën e kaluar kur kryeqytetasit ishin më lart se Teuta në “Elbasan Arena”, por portieri dhe kapiteni Hoxha gaboi fatalisht duke i dhuruar golin durrsakëve.

Gjithsesi, pavarësisht dominimit me lojë, të kuqtë nuk mundën të krijonin shumë raste të pastër, pasi Skënderbeu u vendos mirë në mbrojtje nga trajneri Migen Memelli. Pas humbjes 2-4 në kryeqytet me Tiranën, vendasit ishin të vendosur për të mos pësuar një tjetër disfatë, dhe ia arritën qëllimit për kënaqësinë e tifozëve që ishin në stadium. Ky barazim e lë Partizanin me vetëm 1 pikë në dy ndeshje, në zhgënjim për një ekip që pretendon titullin dhe që mund të mbetet prapa rivalëve, ndonëse jemi vetëm në javën e dytë të kampionatit, pra ka kohë për të reaguar.

Sfidanti.al