Goli numër 100 i Salahut është fytyra e vërtetë e Liverpulit të Klopit!

Sukses është kur merr lojtarë e përforcohesh siç bënë Man. Junajtidi, Çelsi e Man. Siti, por edhe më shumë sukses është kur di të bindësh yjet që të mos largohen, dhe të kesh sukses në fushën e lojës. Jurgen Klop për momentin e ka skuadrën që ka pasur këta 3 vitet e fundit dhe një lojtar mbi të gjithë mishëron filozofinë e tij, Mohamed Salah. “Faraoni” egjiptian shënoi golin e tij numër 100 në Premier Ligë për Liverpulin, në fitoren 3-0 ndaj Lids Junajtidit në “Eland Roud” dhe është në formë të madhe. Sulmuesi 29-vjeçar ka 3 gola e 2 asistë në 4 ndeshje këtë sezon në kampionat.

“Çfarë lojtari, – tha Klop, – Salah ka qenë i jashtëzakonshëm që kur është bashkuar me ne. Rekordet e tij janë të çmendur, por ai është ende i uritur, i pakënaqur që nuk shënoi një apo dy gola më shumë. Të tillë janë lojtarët e mëdhenj”. Liverpuli ka 10 pikë pas 4 javësh, baraz me Mançester Junajtidin e Çelsin, dhe me golaverazh të barabartë me Blutë e Londrës, 9-1. Dy golat e tjerë ndaj Lidsit u shënuan nga Fabinjo e Sadio Mane.

Sfidanti.al