Kundër San Marinon ishte një nga ato ndeshjet që thjesht duhej fituar, për arsye sportive dhe më shumë se aq. Tri pikët, pavarësisht numrit të golave të shënuar, me shumë gjasa do të na ngjisnin në vendin e dytë në klasifikimin provizor të grupit dhe kështu ndodhi, por ishte edhe dita ideale për një dedikim human. Ylli Mihali, një nga pjestarët më të vjetër të këtij grupi tani po vuan dhe i duhet një rezultat pozitiv në ndeshjen e jetës. Fizioterapisti i ekipit Kombëtar nuk mund t’u vijë në ndihmë futbollistëve për momentin, për shkak të Covid 19, mekatit global, që edhe kur mendojmë se e nxorrëm nga porta, na shfaqet në dritare, me atë përqeshjen të frikshme. Tani është rradha e Ylit për të luftuar, për të mos u dorëzuar, gjë që në fakt nuk e ka pasur asnjëherë zakon. Për ata që nuk e kanë njohur, pasi në fakt ishte pothuajse i padukshëm, flitet për një nga lojtarët më të rëndësishëm të kësaj Kombëtareje, por edhe disa të tjerave përpara saj. Ylli Mihali ishte ai që hynte në çdo dhomë pa trokitur, për t’i bërë të gjithë t’i ndjenin këmbët e lehta gjatë çdo ndeshje dhe tani e meritonte një shënim inkurajues të stampuar në gjoksin e çdo futbollisti, si dhe disa gola me dedikim kundër modestëve të San Marinos.