Kombëtarja “matej” dhe Polonia “na rrihte” në Varshavë, humbje logjike 1-4!

Të humbasësh një ndeshje futbolli, aq më tepër jashtë fushe, është pjesë e normalitetit, por varet sesi ndodh. Disfata 1-4 në Varshavë ndaj Polonisë, në eleminatoret e Kupës së Botës, la shije tepër të hidhur për mënyrën sesi u sendërtua dhe për shpërbërjen që i ndodhi ekipit tonë kombëtar sidomos në momentet kyçe. Dakord, patëm pretendime për një penallti që mund të jepej për ne dhe mund të ndihmonte të rihapej ndeshja.

Po ashtu, gjyqtari italian Mariani sikur mbajti paksa krahun e më të fortëve te kartonët e verdhë duke mos na kursyer aspak, e duke falur në ndonjë rast vendasit. Gjithsesi, të pësosh katër gola kur ke treguar se di të luash futboll, tregon se Shqipëria nuk di të luajë 90 minuta, diçka që bëhet fatale kur luan ndaj lojtarëve si Levandovski apo të tjerë. Ekipi i trajnerit Reja ishte i ngarkuar psikologjikisht në nisje, duke marrë 3 të verdhë në pak minuta e duke pësuar golin e Levandovskit.

Gjithsesi, nokdauni i parë nuk ishte nokaut, sepse pikërisht pas atij momenti kuqezinjtë patën periudhën më të mirë. Gjasula pati rast, më pas erdhi barazimi i Sokol Cikalleshit, ndërsa Manaj pati gjithashtu dy mundësi. Cikalleshi la pas Rrakllin në renditjen e shënuesve të kombëtares, arriti Sadikun me 12, ndërsa mbeten Skela me 13, Bushi me 14 e Bogdani i pari me 18. Kombëtarja u godit pikërisht në momentin që po dominonte dhe kur Manaj mund ta kishte kaluar në avantazh.

Këtë gjë për fat të keq e bëri Buksa. Edhe pas pushimit, kuqezinjtë ishin në fushë, madje edhe pse pësuan golin e tretë sërish për gabime që mund të shmangeshin. Një dashamirësi e arbitrit dhe ndërhyrja e VAR-it mund të na kishin ndihmuar, por nuk ndodhën. Shqipëria zbriti në vendin e 4-ët në grup 6 pikë në 4 ndeshje, me 2 fitore e humbje.  Të dielën, presim Hungarinë në “Elbasan Arena”, ndërsa në 8 shtator luajmë ndaj San Marinos gjithashtu në Elbasan, por Hysaj e Bare nuk aktivizohen ndaj hungarezëve për shkak kartonësh.

Sfidanti.al