Një barazim në fushën e Bilbaos nuk mund të quhet rezultat i keq, veçse sesa vlerë kanë shifrat 1-1 do të shihet pasi Reali e Atletiko të kalojnë nga “San Mamesi”. Barcelona tregoi në “gojën e ujkut” se mund të mbahet në këmbë edhe pa Lionel Mesin, por alternativat nuk i ka të shumta për të ndryshuar një ndeshje. Ndodhi gjithçka ndaj Atletikos, dëmtim i Pikesë, pësim goli në nisje të pjesës së dytë në mënyrë të merituar pas dobësisë në 45’ e para, ndodhi reagimi duke iu përgjigjur me shtyllë (De Jong) shtyllës së goditur nga baskët, ndërsa Memfis Depai barazoi me një “raketë” nga distanca. Katalanasit u ankuan se iu anulua pa të drejtë një gol i shënuar me roveshatë nga Arauho, por fakti është se ndeshja e La Ligës përfundoi barazim. Edhe pse Barça luajti më dobët në pjesën e parë, pati dy mundësi më të mira sesa Atletiku, veçse nuk i shfrytëzoi. Nuk dihet nëse trajneri Kuman do të ketë forcën të krijojë një ekip për titull pas një “pazari Korçe” që ndodhi gjatë verës, ku u kërkua që të largoheshin Dembele, Ymtiti, Grizman apo Kutinjo.
Sfidanti.al