Ky është Liverpuli që kërkon Jurgen Klopi, çfarë epërsie në fitoren 2-0

Rezultati nuk ishte i jashtëzakonshëm, ndonëse vazhdon ta mbajë ekipin në majë të Premier Ligë me maksimumin e pikëve pas dy javëve. Liverpuli fitoi “vetëm” 2-0 ndaj Bërnlit në “Anfild”, por me një paraqitje të një niveli shumë të lartë. Jo vetëm 67 për qind mbajtje e topit, por edhe 27 gjuajtje drejt portës ndaj 7 të rivalëve dhe 9 në kuadrat ndaj vetëm 2. Golat u shënuan nga Diogo Zhota dhe Sadio Mane, e një tjetër u anulua për Mohamed Salahun.

Klopi pati kënaqësinë të tregonte se stoli i të kuqve jep garanci për ekipin pavarësisht se është bërë vetëm një blerje. Kostas Cimikas po e zëvendëson shumë mirë Robertsonin, ndërsa Harvej Eliot shkëlqeu edhe pse është vetëm 18 vjeç. Në minutat e fundit hynë në fushë Tiago Alkantara, Roberto Firmino e Xho Gomez, dhe nëse nuk do të ketë dëmtime të rëndësishme rrugës, ky ekip mund të pretendojë fare mirë për titullin. Rreth 54 000 tifozët në “Anfildin” e mbushur sërish plot padyshim që ishin të lumtur.

Sfidanti.al