U kthyen kohët e vjetra, të paktën për disa ditë. Skuadra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjimnastikën për femra u detyrua të kënaqej me medaljen e argjendit në “Tokio 2020”, pasi u la prapa nga Rusia. Ekipi i vajzave ruse ringjalli lavdinë e dikurshme të ish-Bashkimit Sovjetik apo edhe të vetë Rusisë, por përfitoi nga gabimi i rëndë dhe nga kriza e gjimnastes më të mirë në botë, Simonë Bajls. Kjo e fundit dështoi në ekzekutimin siç duhet të ushtrimit në kalin pa doreza, duke mos bërë atë që kishte menduar e duke bërë dalje të keqe. Jo vetëm kaq, por ajo u largua nga salla dhe nuk mori pjesë në ushtrimet e tjera, madje dyshohet se mund të mos jetë konkurruese në vazhdim në Lojrat Olimpike. Medalja e arit shkoi për Rusinë e gjimnasteve Ahaimova, Listunova, Melnikova dhe Urazova, argjendi për SHBA-në dhe bronzi për Britaninë e Madhe. Rusët fituan medaljen e artë në garimin e përgjithshëm edhe për meshkuj.
Sfidanti.al