I uruan fat përpara fillimit, dhe kjo lutje këtë herë u dëgjua. Ata që besojnë nuk do të arrijnë kurrë ta shpjegojnë përse kërkesat e tyre drejt qiellit u dëgjuan pas 55 vjetësh, por gjithsesi më mirë vonë se kurrë. Anglia, shpikësja e futbollit, bëri diçka që mund të mos duket kaq e vështirë, eleminoi për herë të parë Gjermaninë në një turne të madh pas plot 55 vjetësh. Kjo natyrshëm krijoi një eufori të krahasueshme vetëm me fundin e pandemisë. Tifozët në stadiumin “Uembli” e kudo ishin në ekstazë të plotë, ndërsa trajneri Garet Sauthgejt për pak po shpallet hero kombëtar, ndonëse Europiani është vetëm në çerefinale.
“Lojtarët tanë ishin të pamasë, që të gjithë, – tha Sauthgejti, – edhe tifozët ishin të pabesueshëm. Ky entuziazëm nuk është provuar as kur “Uembli” ka qenë i mbushur plot me 90 000 spektatorë. i lumtur që i kënaqëm! Gjithsesi, ne duhet të mendojmë që tani për të dielën, për çerekfinalen. Sa i çuditshëm është futbolli. Nëse rezultati do të kishte qenë tjetër, çfarë do të ishte thënë për ne?”
Nga kampi gjerman, pamja është ndryshe. “Një zhgënjim i madh për ne, – pohoi trajneri Joakim Lëv, që pati ndeshjen e fundit në stol, – lojtarët janë shumë të dëshpëruar. Në ndeshje të tilla duhet të shfrytëzosh rastet, por ne nuk e bëmë as me Vernerin dhe as me Tomas Mylerin. Unë nuk i bëj aspak me faj, ndonëse Myleri normalisht duhej të kishte shënuar. Këto janë gjëra që ndodhin. Shumë lojtarë janë të rinj, do të jenë gati për Euro 2024”. Gjermania do të nisë një epokë të re me trajnerin Hansi Flik, ndërsa Anglia do të vazhdojë ëndrrën europiane me çerekfinalen ndaj Ukrainës.
Sfidanti.al