Miluoki tregohet Miluoki, këtë herë Atlanta nuk ka shpëtim!

Janis Antetokumbo ishte një kapiten normal, por fitorja e skuadrës ishte nga ato të veçantat. Ylli i madh vendas nuk shënoi aq shumë, 25 pikë, ndërsa shtoi vetëm 9 topa në tabela, 6 asistë e 2 vjedhje topi, por lidershipi i tij ishte “i panjollë”. Miluoki arriti një fitore të madhe ndaj Atlantës, 125-91, në ndeshjen e dytë finale të Konferencës së Lindjes në NBA, duke barazuar serinë 1-1. Kryesore ishte loja e Miluokit, shumë e përqëndruar, e fortë në mbrojtje, e shpejtë në kundërsulm. Holidei shënoi 22 pikë, Midëlton pati 15 pikë, 7 topa në tabela e 8 asistë, Bruk Lopez 16 pikë.

Këtë herë, Trej Jang nuk mundi ta ndihmonte ekipin, dhe u mbulua fort nga vendasit. Ai shënoi vetëm 15 pikë, duke realizuar vetëm 1 nga 8 gjuajtjet për tri pikë, e duke ndihmuar fare pak me elementët e tjerë, si 2 topa në tabela, 3 asistë e 2 vjedhje topi. As shokët e tjerë të tij tek Atlanta nuk ishin mirë pasi Kollins shënoi 11 pikë, Galinari 12, Redish 11 dhe Bogdanoviç 8 pikë. Ndeshja e tretë luhet në fushën e Atlantës që mbetet në avantazh pasi fitoi një nga dy përballjet në Miluoki.

Sfidanti.al