Belgjika luan për Eriksenin, por edhe për vete ndaj kualifikohet!

Është e ditur se mbrojtja e kësaj skuadre nuk është ajo më e mira e mundshme, jo si ajo e Francës apo e Italisë, por gjithsesi nga mesfusha e lart, Belgjika është një ekip “monstër”. Fakti që prej kohësh është skuadra numër 1 në renditjen e FIFA-s do të thotë diçka dhe ja ku erdhi kualifikimi për në turin e dytë të Europianit 2020. Belgët e trajnerit Martinez nuk e lanë gjatë Italinë që të priste, pasi edhe ata kanë dy fitore në dy ndeshje, veçse golat pak më keq, 5-1 ndaj 6-0. Me gjasë, kjo mund të ketë ndodhur sepse kanë fituar “në gojë të ujkut”, pra 3-0 në Shën Peterburg ndaj Rusisë dhe 2-1 në Kopenhagen ndaj Danimarkës.

Vetë belgët e nxorrën topin nga fusha në minutën e 10-të për të nderuar Kristian Eriksenin që ndodhet i shtruar në spital për shkak të atakut kardiak që pati në ndeshjen Danimarkë-Finlandë, dhe që padyshim u lumturua. Danezët luajtën për shokun e tyre dhe kaluan papritur në epërsi me Poulsenin në 2’, veçse “dardha e kishte bishtin prapa”. Torgan Hazar në 55’ dhe Kevin De Brujn në 70’ përmbysën rezultatin dhe i dhanë kualifikimin Belgjikës, në një grup ku Rusia e Finlanda kanë nga 3 pikë dhe Danimarka 0, por që ende nuk është e eleminuar.

Sfidanti.al