Zvicra e shqiptarëve nuk ka fat, Uellsi dhe VAR-i e ndalin në barazim 1-1!

Mendohej që ekipi nga Alpet t’ia dilte mbanë. Parashikimet ishin të gjitha për Zvicrën, por ja që futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe në stadiumin e kryeqytetit të Azerbajxhanit, zviceranët u ndanë barazim me Uellsin. Një rezultat 1-1 që u rri ngushtë të besuarve të trajnerit Vladimir Petroviç, dhe ia vështirëson shanset për të realizuar objektivin, kualifikimin për në turin e dytë, pasi në grupin A bëjnë pjesë edhe Italia e Turqia. Helvetët luajtën më mirë për pjesën më të madhe të ndeshjes, por humbën disa raste, ndërsa shkëlqeu portieri i britanikëve, Uard. Sidomos u dallua Breil Embolo, që e vuri në vështirësi të madhe mbrojtjen uellsiane më depërtimet e tij të shpejta e të fuqishme.

Ishte pikërisht Embolo që kaloi Zvicrën në epërsi me fillimin e pjesës së dytë, dhe ekipi i Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit duhej të kishte shënuar më shumë. Nuk ia doli përballë një Uellsi të fortë fizikisht dhe të ngjeshur në mbrojtje, dhe u ndëshkua për shpërdorimin e rasteve. Rreth 15 minuta para fundit, kundërshtarët barazuan me anë të Kifer Murit, rezultat që nuk ndryshoi deri në fund. Zvicrës nuk i bëri punë dominimi, edhe pse e mbajti topin 63 për qind dhe gjuajti 18 drejt portës, dyfishin e Uellsit. Edhe fati ishte kundër, pasi shënoi gol që u anulua për pozicion jashtë loje.

Sfidanti.al