Shembulli tragjik i Tiranës, edhe ha shpullën, edhe të mirëkupton! 

Prej vitesh kemi thënë me përkëdheli dhe me hipokrizi se lojtari i 12-të janë tifozët,  madje atje ku futbolli është i dobët dhe  nuk ka sy për bukuri, ky  lojtar kapërcen orbitën e lejuar dhe bëhet më i rëndësishëm  sesa  vetë futbollistët.  A nuk ka ndodhur kështu me ndeshjet derbi , sidomos vitet e fundit, kur mungesa e spektaklit  në fushë,  na ka  lumturuar me zjarrin e  rivalitetit plot ngjyra dhe sharjet pikante të tifozerive. Dhe ajo që ndodhi ditët e fundit me Tiranën, me tifozët e saj që kërcënuan futbollistët gjatë stërvtijes,  ka shumë arsye të gjykohet si  një lojë për të marrë pushtetin e një klubi, të dobësur ndjeshëm cilësisht dhe moralisht.  Cili ishte sebepi i rebelimit ? Atë natë, kur kryetari i Bashkisë, Veliaj, qenka shfaqur në ekran, duke bërë pajtimin e sforcuar të presidentëve Halili dhe Demi,  ku si kusht ishte dorëzimi i “kalasë bardheblu”, stadiumit “Selman Stërmasi” tek “armiqtë historikë”, tifozët e Tiranës e kanë marrë si kapitullim ndaj armikut më të betua . Zemërimi dhe vepra e tyre ndaj futbollistëve, sidomos ata që votuan “pro”  që Partizani të shkelë në “Stërmasi”,  ka lënë shije shumë të hidhur, madje ishte një gjest i frikshëm për të ardhmen e kësaj loje. Në këto momente, të gjithë kanë drejtuar gishtin  fajtor  nga tifozët e Tiranës, nga ajo pjesë që zaptoi fushën e stërvitjes, madje edhe  perënditë e Federatës  kanë marrë “armët” , duke fshehur gjurmët  dhe kontributin e tyre për të nxitur këtë rebelim kryengritës tek klubi i kryeqytetit.

A nuk ishte kjo Federatë që e përcolli me gajde Partizanin në “Elbasan Arena” dhe  politika e saj mbështeti  betimin e tifzoëve dhe të klubit bardheblu, ku  të kuqve a mos t’iu shkonte në mëndje se mund të shkelnin tempullin e tyre.  Zyrtarët dhanë një asist të shkëlqyer për të mbajtur gjallë iluzionin e gabuar se  Partizani në Tiranë ishte një ekip pa atdhe,sigurisht  dhe pa stadium.  Edhe klubi vetë, që po përjeton momentet më pa vlerë, jo vetëm në planin sportive, por edhe moralisht, ka kontribuar me zell për t’i thënë tifozëve se do “qeverisim bashkë”. Një alibi me rrezik,  ndofta si një përulje  pa kushte për shkak të mungesës së trofeve dhe të shijes së harruar të fitores, me të cilën ushqehej  ky klub.  Tirana po të ishte fituese,  shpirti bardheblu do të kishte më shumë paqe dhe më pak tradhëtira, si ajo e ditëve të fundit, ku shuplakën e ka marrë gjithë mjedisi.  Bile, faqja është skuqur dhe  më shumë kur kanë dëgjuar  deklaratën zyrtare të klubit, që shpreh publikisht frikën në të cilën jeton ditët: “ Ne e mirëkuptojnë ngjarjen që ndodhi me futbollistët”.  Që do të thotë se me futbollistët mund të bëni çfarë të doni,  por, aman, ju lutemi , mos shkoni më tutje…

Sfidanti.al