Mosha e vjetër jo gjithmonë mund të quhet me epërsi në konkurrimet sportive. Forma fizike nuk është ajo e një kohë, edhe pse rritet përvoja. Gjithsesi, Australian Open, turneu i parë Grand Slem i vitit në tenis, mund të quhet pa frikë “kampionati i pleqve”. Mjafton të shikosh çiftet gjysmëfinalistë për ta kuptuar.
Tek meshkujt, në një gjysmëfinale luan 35-vjeçar Rozher Federer ndaj 31-vjeçarit Vavrinka, ndërsa në tjetrën 30-vjeçari Nadal ndaj bullgarit 25-vjeçar, Dimitrov, që është i vetmi me moshë të re në Melburn.
Femrat janë edhe më keq. Serena Uilliams, tashmë 35-vjeçare, do të ndeshet me kroaten-suprizë, Mirjana Luçiç-Baroni që është 34 vjeç, ndërsa motra e Serenës, Venus Uilliamsi, që është 36 vjeç, do të ndeshet me belgen Vandervege që është e re, 25 vjeç.
Rafael Nadal duket tenisti më i përmirësuar, duke arritur gjysmëfinalen e parë në Grand Slem në 3 vjet, ndërsa Rozher Federer kërkon Grand Slemin numër 18, për të thelluar edhe më shumë rekordin e tij. Edhe Serena, synon rekordin me Grand Slemin e 23-të për femra.
Sfidanti.al