E kishin akuzuar që pas kësaj ndeshjeje dhe nuk e lanë me kaq. Partizani ka kallëzuar në prokurorinë e Tiranës arbitrin Kridens Meta për mënyrën sesi drejtoi ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në fushën e Laçit në 17 mars. Kurbinasit u kualifikuan pas penalltive, ndërsa të kuqtë pretenduan për 3 penallti, ndërsa Meta nuk akordoi asnjërën prej tyre. Fillimisht në minutën e 37-të kur u rrëzua sulmuesi Erald Çinari i shtyrë me duar nga Ignjatoviç, pastaj në minutën e 67-të kur sërish mbrojtësi Ignjatoviç përplasi Muratajn, dhe më pas në minutën e 84-ët kur Shehu ndërhyri ndaj Çinarit. Laçi gjithashtu pati një pretendim në kohën shtesë, në minutën e 118-të, por Meta nuk dha 11-metërsh as në këtë rast. Presidenti i kryeqytetasve, Demi, e sulmoi arbitrin që pas ndeshjes çerekfinale të Kupës, duke e quajtur shkaktarin e vetëm të eleminimit të ekipit të tij. Nëse gjyqtari gjendet fajtor për korrupsion ai mund të ndëshkohet minimalisht me gjobë, por deri në disa vjet burg.
Sfidanti.al