Liverpuli nuk e shfrytëzoi shansin për Championsin, ndoshta mendonte Superligën!

Barazimi 1-1 në “Eland Roud” ndaj Lidsit e përmblodhi në 90 minuta sezonin e vështirë të të kuqve të Jurgen Klopit. Ky rezultat e la Liverpulin jashtë zonës Champions në Premier Ligë, për të cilën duket se do të luftojnë Leisteri dhe Çelsi, ndonëse edhe “redsat” ende nuk mund të quhen pa shpresë. Gjithsesi, ishte një rast i madh i humbur, sepse fitorja do t’i ngjiste lart dhe do t’i vendoste nën presion Çelsin e Leisterin. U duk se mund të arrihej kur Sadio Mane shënoi 31’. Gjithsesi, gjithçka mori fund në 87’ kur Diego Jorente barazoi për “të bardhët” e Marselo Bielsës. U duk se Lidsi luajti me mllef ndaj atyre që i quan si tradhëtarë të futbollit anglez, ndërsa lojtarët e Liverpulit ishin në një gjendje të vështirë, pikërisht për shkak të dënimit mbarëeuropian që po i bëhet drejtuesve të klubit të tyre që vendosën të merrnin pjesë në krijimin e Superligës së Europës. Liverpuli ka 53 pikë në 32 ndeshje, Çelsi ka 54 në vetëm 31, ndërsa Leisteri ka 56 në 31.

Sfidanti.al