NBA, njeriu i mbrëmjes ishte Kauai Leonard i Klipersave

Pati shumë ndeshje dhe në parket dolën një “tufë” me kampionë, por nuk ishte dita e tyre e mbarë. As Janis Antetokumbo, as Nikola Jokiç dhe as Luka Donçiç nuk mundën të linin shenjë duke shënuar sidomos pak pikë e duke mos iu afruar tripëll dabëllave, por mendoi një tjetër yll për të shkëlqyer. Ky ishte Kauai Leonardi i Los Anxhelos Klipersave që, ndoshta nuk ishte i jashtëzakonshëm, por ishte shumë i mirë dhe udhëhoqi ekipin drejt një fitoreje të rëndësishme. Leonard shënoi 25 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 3 asistë dhe bëri 5 vjedhje topi, duke pasur vetëm 1 humbje topi. Edhe lojtarët e tjerë si Pol Xhoxh, Zubac, Morris, Uilliams apo Batym, dhanë kontribut të rëndësishëm dhe Klipersat fituan 134-101 në fushën e San Antonio Spërsave. Ky ishte suksesi i tretë radhazi për ekipin nga Kalifornia që është në vendin e tretë në Konferencën Perëndimore me 29 fitore e 16 humbje, një fitore më shumë se Lejkërsat.

Sfidanti.al