Në kohë fushatësh politike, edhe Kombëtarja si një “parti” e privilegjuar, që popullin e e vet e mban të lidhur pas vetes edhe kur nuk i mban premtimet , po bën këto ditë fushatën e saj për 3 ndeshjet e ardhshme . Po cili është kryepremtimi i fushatës së saj? Nuk donim të ishte si një bast me opinionin, por trajneri Edi Reja s’paska frikë( ose kështu i kanë thënë), ka flakur dorashkën e duelit: “ Do të marrim 7 pikë në 3 ndeshjet e para!” Pra, me Andorën dhe San Marinon, e ditkemi fundin e ndeshjes, por s’dimë vetëm sasinë e golave që do të derdhim në portat e tyre. Kurse me Anglinë, do të kemi një barazim historik, nga ata që të dehin ndër vite edhe pse pa tifozë, edhe pa gola do te jetë i lavdishëm…
Dhe sipas zakonit të vjetër, qoftë trajner gjerman si Brigelli, apo holandez si Ari Han , kroat si Bariç apo Italian si De Biazi e Panuçi, kur Kombëtarja del në fushatë, premton pikët pa patur frikë nëse e mban apo jo fjalën. Prandaj, sa më shumë bien tam-tamet se ndeshja me Anglinë do të jetë historike, më shumë na shtohet frika për ndeshjen e së enjtes ( pa histori) me Andorrën.
Si, si, pa histori? ! Ky ekip liliput për botën, me ne e lidh një flirt shumë i hidhur . Vite më pare, tamam në ditën e debutimit të presidentit tonë , ndodhi ajo që nuk e mposht as skleroza. Andora hyri në histori duke na turpëruar, kurse ne dolëm nga historia duke thirrur : pati tradheti burra! ! Të vetmen gjë që fituam nga ajo ditë gjëmëmadhe, ishte e drejta për të treguar përrallën që vazhdon edhe sot : na bëhet sikur jemi ekip i madh dhe na ndjek “tersi” kur luajmë me ekipet e vogla…
Po vjen Anglia ! Edhe po doli nga shinat e parashimkimit ndeshja midis “luanëve” dhe “shqiponjave”, prapë kemi një sebep për të festuar: me Francën inaguruam “fushën e ferrit” në Air Albania, ndërsa me Anglinë “fushën e parajsës”, për të cilën thuhet se e kemi goditur këtë herë dhe nuk do të jetë nevojë për një fushë të tretë…
G.Sinemati