Maurisio Poçetino nuk mund të kishte ardhur në kohë më të keqe, dhe Tomas Tuhel nuk mund të ishte larguar në moment më të mirë. Paris SG i këtij sezoni, në vazhdën e suksesit të madh të edicionit të kaluar duke arritur finalen e Championsit, është kthyer në “rebusin” më të madh të Europës. Humbja 1-2 në shtëpi me Nantën e tronditi keqaz besimin e kampionëve të Francës, më shumë sesa domimi që pati Barcelona në ndeshjen e dytë të Ligës së Kampionëve. E pra, cilin PSG të besojmë, atë të “Kamp Nout” që fitoi 4-1, apo këtë tani? Kilian Mbape, heroi me 3 gola ndaj Barçës, “u vu në gjumë” pra problem, ndërsa Nejmar sërish mungoi.
Draksler shënoi në 42’ dhe u duk se ndeshja u vu “në shina”, por ndodhi e kundërta ndaj një rivali aspak të niveli për të humbur. Nanta është në vendet e poshtme të renditjes, dhe kjo fitore për të ishte si një dhuratë që nuk e kuptoi nëse e meritoi vetë apo ia bëri kundërshtari. Ishte humbja e 7-të këtë sezon në Ligën e Parë, për herë të parë kaq shumë që pasi u blenë aksionet nga sheikët e Lindjes së Mesme. Ishte edhe humbja e dytë radhazi në shtëpi, pas asaj me Monakon, hera e parë që ndodhte që nga nëntori 2012.
Randal Kolo Muani në 59’ dhe Moses Simon në 71’ ishin autorët e fitores së madhe për miqtë. PSG ka 60 pikë, po aq sa Lioni, ndërsa Lila kryeson me 63 pas barazimit të rëndësishëm në fushën e Monakos. Në 21 mars do të luhet dueli i rëndësishëm në fushën e Lionit, ndërsa më pas është sfida e madhe ndaj Lilës në “Park dë Prensis”.
PSG: Navas, Kimpembe, Markinjos, Dialo, Dagba (Kehrer), Verrati, Rafinja (Ikardi), Danilo Pereira, Draksler (Sarabia), Mbape, Di Maria (Paredes). Tr. Poçetino.
Sfidanti.al