Nuk është se pati shumë besim tek ai, kur mbërriti në këtë ekip. Edhe vetë Ardian Ismajli e provoi sesa e vështirë ishte të stabilizoheshe në Serinë A, por këmbëngulja po jep frytët e saj. Pasi shkëlqeu në ndeshjen e kaluar në fushën e Sasuolos, duke dhënë asistin e golit të avantazhit për Specian, mbrojtësi i kombëtares shqiptare u konfirmua ndaj Milanit. Mediat italiane shkruajnë se 24-vjeçari fitoi duelin ndaj legjendës Zllatan Ibrahimoviç, ndërsa skuadra modeste arriti një triumf të madh ndaj ish-kryesueses së tabelës, me shifrat 2-0. Tifozët e Specias kanë nisur ta quajnë “Muri shqiptar”.
Karrierë e Ismajlit është tipike e një futbollisti që e nis nga poshtë, dhe që nuk është i pajisur me ndonjë talent të veçantë. Në vitin 2015 kaloi nga Prishtina tek Hajduku i Splitit ku luajti për 5 sezone në Ligën e Parë të Kroacisë, duke marrë pjesë edhe në kupat e Europës. Paraqitjet e tij dhe përzgjedhja në kombëtaren e Shqipërisë bënë që mbrojtësi nga Prishtina të hynte në vëmendjen e mjaft klubeve në Europë, aq sa u vlerësua i përshtatshëm edhe për Serinë A.
Specia pagoi 2.5 milionë për kartonin e tij verën e kaluar, një guxim i madh i klubit që ka buxhetin më të vogël në elitën e Italisë. Trajneri Italiano u rezervua shumë që ta aktivizonte, por dalë nga dalë Ismajli nisi ta siguronte vendin e tij. Ai ka qenë në fushë në dy ndeshjet e fundit, po ashtu në 4 nga 8 sfidat e kohëve të fundit të Serisë A, ndërsa në një rast ka qenë i pezulluar për kartonin e kuq të marrë ndaj Napolit në stadiumin “Maradona”. Besohet se për të vazhdon interesimi i klubeve në Europë, dhe flitet se pëlqehet nga Marseja dhe Dortmundi.
Sfidanti.al