Kastrioti “i nxin jetën” Kukësit në Shkodër, humbja e parë për Mirel Josën!

Fituan dhe padyshim që e merituan. Mund të cilësohet çudi që Kastrioti të mundë Kukësin, veçse ky është realiteti i Superligës, me krutanët që kanë ditur më herët të mposhtin edhe Partizanin apo t’i marrin pikë Tiranës. Përfundoi 1-0 në Shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi” që teorikisht ishte shtëpia e kuksianëve, dhe ku u rrezikua transmetimi televiziv i ndeshjes për shkak të ikjes së dritave në qytet.

Për fat, energjia erdhi shpejt, por në fushën e lojës më shumë energjikë u treguan futbollistët miq. Ata arritën edhe fitoren me golin e shënuar në fund të pjesës së parë nga braziliani Devid Da Silva, si dhe përballuan një ekip shumë më tepër cilësor. Nën drejtimin e një njohësi të mirë të futbollit shqiptar, si trajneri Ramadan Ndreu, Kastrioti u shfaq më skuadër duke u mbrojtur fort e duke sulmuar rrezikshëm.

Për kolegun e tij, trajnerin me shumë emër Mirel Josa, erdhi humbja e parë madje direkt në ndeshjen e dytë në stol. Në Korçë doli shumë e lehtë ndaj Skënderbeut, me shifrat 4-0, por lojtarët kuksianë në fushë ishin si të transformuar. Mund të themi se tek ata ndikon ana financiare, për të cilën thuhet se ka vonesa, ndonëse edhe krutanët nuk janë pa probleme, edhe pse kanë marrë shpërblime për çdo rezultat pozitiv.

Kastrioti përballoi gati 20 minuta me një lojtar më pak kur Shkalla u përjashtua me karton të kuq. Kuksianët u ndalën pas 3 fitoreve radhazi dhe mbetën në 26 pikë, 11 pas Vllaznisë e duke u shkëputur edhe nga ekipet e tjerë të pjesës së sipërme të Superligës. Krutanët ndërkaq, janë në rregull me objektivin e tyre për mbijetesën, me 24 pikë, 11 pikë mbi vendin e tretë nga fundi që të çon në plej aut.

Sfidanti.al