Solskjer, sa shpejt t’u sulën me kritika Roi Kini dhe Karrageri!

Analistët janë kudo njësoj, si puna e atij tellallit që shet mallin e tjetrit. Dikur Sër Aleks Fergusoni iu vërsul keq ish-kapitenit të tij, Roi Kin, që kishte nisur të punonte si opinionist duke i thënë që të matej kur të fliste sepse ai e dinte sesa i vështirë ishte profesioni i trajnerit. Roi Kini vazhdon të njëjtën “iso”, ashtu si edhe Xhemi Karrageri, ish-kapiteni i Liverpulit, ndërsa këtë herë sulmuan Mançester Junajtidin për barazimin 0-0 në fushën e Arsenalit.

E vërtetë që “djajtë e kuq” nuk u përgjigjën dot si duhet pas humbjes në shtëpi ndaj Shefild Junajtidit, dhe se londinezët nuk kishin disa nga lojtarët më të mirë. Barazimi pa gola bëri që Junajtid të mbetet edhe më prapa Mançester Sitit (3 pikë), që ka edhe një ndeshje në dorë. Titulli ndoshta nuk do të fitohet këtë vit, por gjithsesi trajneri Ole Gunar Solskjer është po ai që u lavdërua në ndeshjet e kaluara. Junajtid ka 8 vjet që nuk konkurron për Premier Ligën, pra është e qartë se do t’i duhet kohë. Edinson Kavani humbi dy rastet më të pastër dhe portieri vendas, Leno , u shpall lojtari i ndeshjes, pra Junajtidi u përpoq.

Dy analistët e quajtën Junajtidin “frikacak” që nuk guxoi të fitonte ndonëse vetëm fitorja i bënte punë. Kin dhe Karrager duhet ta dinë nga përvoja sesa e vështirë është për një ekip të kthejë “fletën” dhe të shkojë drejt suksesit. Vetë Kin e provoi se Mançester Junajtidit të tij iu deshën vite që të fitonte titullin, qoftë edhe me Sër Aleksin, ndërsa Karrager e mbylli karrierën tek Liverpuli pa e provuar titullin kampion.

Sfidanti.al