Rivalët e mëdhenj që luftojnë për titull janë lënë pas. Në krye të renditjes në basketbollin amerikan këtë sezon nuk është një superfuqi, por një ekip që papritur po shkëlqen, Juta Xhaz. Fitorja ndaj Dallasit ishte e 11-ta radhazi, dhe yjet jo edhe aq shumë të vlerësuar si Majk Konli, Rudi Gober, Xhordan Klarkson apo Bojan Bogdanoviç po e tregojnë veten të papërmbajtshëm.
Suksesi në shtëpi ishte 120-101, pra i tillë që nuk u vu aspak në dyshim, me Bogdanoviçin që shënoi 32 pikë, Konlin që pati 22 pikë e 9 asistë, dhe me O’Nillin, Goberin e Klarksonin që dhanë kontribut të madh. Mos vallë, Juta po kthehet me të vërtetë në kohët e dikurshme të lavdishme, në vitet 90-të, kur në parket ishin yje të tillë si Karl Maloun apo Xhon Stokton? Të shohim, por momenti është i shkëlqyer.
Los Anxhelos Klipers e Los Anxhelos Lejkërs e ndjekin nga afër në renditje në Perëndim, ndërsa San Antonio, Denveri apo Dallasi janë edhe më larg. Po ashtu, skuadrat në Lindje nuk mund të krahasohen me këtë surprizë, madje as vetë Filadelfia, e aq më pak Bruklin, Miluoki apo Bostoni. Ekipi është në qendër të vëmendjes në media, ndërsa i përket një shteti amerikan me popullsi shumë të vogël, por mjaft të pasur dhe konservatore.
Po ashtu, të një qyteti si Solt Lejk Siti ku gjysma e banorëve janë mormonë, nga ata që besojnë se janë kthyer në Kishën e parë të themeluar nga Jezu Krishti. Ndoshta basketbollistët në fushë nuk i dinë këto gjëra, por po u japin tifozëve një kënaqësi të madhe. Juta Xhaz kryeson Konferencën Perëndimore me 15 fitore e 4 humbje, duke pasur bilancin më të mirë në të gjithë NBA-në.
Sfidanti.al