Nuk është një përmbysje historike, siç ndodhi në kohën e Sër Aleks Fergusonit. Nuk ka kaluar një kohë shumë e gjatë që kur Mançester Junajtid ishte një ekip fitues, që merrte tituj dhe që ia dilte të mposhtte Liverpulin, por gjithsesi për tifozët duket sikur ndodhi një revolucion. Djemtë e trajneri Ole Gunar Solskjer e mundën rivalin e tyre më të madh në Angli dhe u kualifikuan për në turin e pestë të Kupës.
Sukses i vështirë në “Old Traford”, 3-2, por ç’rëndësi ka kjo! Tek e fundit, kur fiton pas 3 vjetësh ndaj Liverpulit pranohet çdo rezultat. Edhe pse të kuqtë nuk e kishin aureolën e disa javëve më parë, për shkak të formës aspak të mirë në Premier Ligë, sërish ndeshja doli e vështirë, ashtu siç edhe pritej. Mohamed Salah e kaloi në epërsi ekipin mik, por “djajtë e kuq” reaguan me karakter duke përmbysur shifrat. Ata tani kanë lojtarë që kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Mejzën Grinvud barazoi në 26’ pas asistit të Markus Rashfordit, ndërsa në 48’, ishte Rashford që shënoi pas topit të Grinvudit.
Gjithsesi, vuajtjet nuk kishin përfunduar pasi Mohamed Salah barazoi për kampionët në 58’, madje Liverpuli ushtroi presion dhe mund të kishte fituar. Sidoqoftë, goli ishte i vendasve kur Bruno Fernandes shënoi nga goditja e dënimit. Solskjer tregoi pas ndeshjes se mesfushori portugez ushtrohet nga 45 minuta pas stërvitjes për goditjet e dënimit. Në fund, Kavani mund të kishte realizuar për 4-2, por e ndaloi shtylla. Tashmë, Junajtid është në të tetat e finaleve ku do të ndeshet me Uest Hemin, dhe ekzistojnë shanset për të fituar trofe.
Sfidanti.al